e shtunë, 25 dhjetor 2010

Rrjetet shoqërore, cila është një foto perfekte?

Rrjetet shoqërore, cila është një foto perfekte?Ndërsa rrjetet shoqërore janë shndërruar në një prej mënyrave më të rëndësishme të komunikimit në botë, një grup kërkuesish australianë besojnë se kanë gjetur se çfarë e bën një foto profili me të vërtetë tërheqëse.
Doktori i psikologjisë, Darren Burke dhe kolegët e tij në Universitetin Nyukasla të Australisë, shqyrtuan çështjen nga pikëpamja e mekanizmave psiqikë. Instikti i parë në shikimin e një fotoje është ai seksual, por pamja mund të manipulohet.

Siç treguan studimet me disa vullnetarë, një femër është më tërheqëse nëse fotografia është kapur me një kënd të vogël nga lartë poshtë. E kundërta për meshkujt, që duhet të jenë kapur me një kënd pak më të ulët se portreti. Arsyeja lidhet me mënyrën se si zakonisht meshkujt e femrat shikojnë njëri-tjetrin në jetën e përditshme.

Ndonëse pjesa më e madhe e vullnetarëve deklaruan se trupi kishte më shumë rëndësi për ta në paraqitjen e partnerit, fotot e profilit në rrjetet shoqërore kanë një impakt të rëndësishëm, pasi krijojnë një përceptim se si mund të jetë në tërësi një individ.

Meshkujt preferojnë të shikojnë tek femrat një pamje të pastër, lëkurë të butë dhe mbi të gjitha fytyrë simetrike. Për femrat është më e ndërlikuar. Provat treguan se fotot e meshkujve të bukur tërhiqnin vetëm ato individë që kishin pranuar se gjatë jetës së tyre janë tërhequr vazhdimisht nga lidhje të shkurtra e pasionante. 

Mbi të gjitha, këto ndienja lindin gjatë momentit të evolimit. Megjithatë, instikti seksual dhe familjar i bën gratë që të tërhiqen shpesh prej meshkujve që më shumë se pamje të bukur, kanë një imazh burrëror.

Fytyrat me më shumë tipare mashkullore, si me një mjekër të dalë dhe vetulla të trasha treguan se janë në përgjithësi më tërheqëse, ashtu si ato imazhe me një mjekër të parruar prej disa ditësh.

Ndërsa meshkujt tërhiqen prej pamjeve ku imazhi duket sikur e shmang shikimin, e kundërta ndodh me gratë që parapëlqejnë fotografi mashkullore ku duket sikur të shikojnë drejt e në sy. 

Megjithatë, shkencëtarët arritën edhe në një përfundim tjetër të pakundërshtueshëm, se pavarësisht këtyre “manipulimeve” të vogla, në fund bukuria natyrore do të ketë gjithmonë rolin më të madh në vlerësimin e fotografive prej të tjerëve.


Nga:TOP-CHANNEL

Nuk ka komente: