e martë, 18 janar 2011

Prifti: Kam frikë të vazhdoj i vetëm...

Prifti: Kam frikë të vazhdoj i vetëmIsh-ministri i Energjitikës, Dritan Prifti ka deklaruar se do t’i shkojë deri në fund denoncimit të aferave të paligjshme që mbajnë firmën sipas tij të Ilir Metës.

“Është një betejë historike kundër korrupsionit, për një politikan të korruptuar që me tre vota mban në këmbë qeverinë më të korruptuar dhe më hajdute që po rrënon popullin”, ka pohuar Prifti.

Sipas tij, justifikimi i Metës dhe i qeveritarëve të tjerë se videoja është e montuar janë një farsë.

“I vetmi justifikim i Metës dhe qeveritarëve të tjerë është se videoja është një montazh. Ata nuk guxojnë të përballen me të vërtetën që zëvendëskryeministri i vendit bën afera duke ofruar 7%, ose bën anulimin e një ankandi, atë të naftës, që të fitojë miku i tij”, është shprehur Prifti.

Ish-ministri ka theksuar se videoja është tërësisht orgjinale dhe këtë e vërteton transmetimi i saj nga Top Channel, ku nuk ka pasur asnjë ndërprerje.

“Videoja që unë kam regjistruar është e paprekur dhe e pamanipuluar. Loja e montazhit nga Meta bëhet vetëm për të fituar kohë, për të blerë mediat dhe drejtësinë. Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale nëse videoja është sadopak e prekur. Për fat të mirë, regjistrimi tregon orën dhe sekondat dhe kur TCH e dha të plotë, asnjë sekond nuk lëvizi. Prandaj, nuk ka nevojë për prokurorë nga Amerika apo Evropa, pasi shqiptarët e kanë orën në ekran”, ka nënvizuar Prifti, i cili ka reaguar edhe ndaj akuzave të bëra dje nga Meta në Parlament.

“Ka nxjerrë edhe një shënim që unë kam bërë një memo muaj para videos. Unë për shkak të hetimit nuk i bëj publike datat. Nuk ka asnjë jurist, nuk ka asnjë shans që ai të gënjejë shqiptarët”, ka theksuar Prifti.

Ai ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do të dorëzojë në prokurori materiale të reja që tregojnë pasuritë e paligjshme të Metës, brenda dhe jashtë vendit.

“Unë këto ditë do të shkoj sërish në prokurori me një dosje të re për Metën, ku do denoncoj aferat e tij në 3 muaj kur unë kam qenë ministër. Ai ka bërë kërdinë. Do tregoj pasuritë e tij të paligjshme brenda dhe jashtë Shqipërisë”, ka deklaruar Prifti.

Ai ka ripohuar se qeveria aktuale është më e korruptuara dhe ka ritheksuar se koalicioni mes PD dhe LSI-së duhet të prishet sa më parë.

Sipas Priftit, korrupsioni mban në këmbë qeverinë aktuale, me Metën që i bën shantazhe Berishës me votata e tij në Parlament.

“I bëj thirrje edhe Berishës që të vërë interesat e kombit mbi të tijat. Koalicioni me LSI duhet të prishet. Mjaftojnë vetëm provat e mia që ky koalicion të prishet. Meta i bën shantazhe Berishës me 3 votat e tij në Parlament. Meta e di që nuk e voton më njeri partinë e tij dhe po përgatitet të blejë votat në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Prifti.

Më tej ai ka folur edhe për një marrëveshje të fshehtë që Meta kishte bërë me Ramën, përmes komunikimeve të fshehta me sms.

“Meta ka pasur marrëveshje me Ramën, por nuk mendonte që vota ime do të ishte për PD-në. Kam një sms në celular. Meta dhe Rama komunikonin me sms përmes një korrieri dhe ajo thotë: “Vëlla, si e degjeneruam Tan Priftin do t’ia u bëjë të gjithëve sepse janë të korruptuar”. Por pasi unë ia dhash votën time PD-së, Meta ndryshoi qëndrim”, ka shtuar Prifti.

Por nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se edhe vetë ka komunikuar me Ramën dhe nuk e ka përjashtuar një bashkëpunim të mundshëm me PS.

“Jam takuar me zotin Rama dhe me disa deputetë të PS. Kam disa variante, të bashkohem me PS, të krijoj një forcë të re opozitare, si dhe të largohem nga kjo politikë e qelbur dhe të shoh hallet e mia”, ka shtuar Prifti.

Por ai ka kërkuar mbështetje për t’i shkuar më tej kësaj cështjeje, pasi përpara ka shumë rreziqe. “Unë po bëj një politikë opozitare dhe kam nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Po bëhet një plan për eleminimin tim fizik”, është shprehur ai.  Nga top-channel.tv

Nuk ka komente: